Tyrbja  e Sulltan Muratit, rrjedhojë e një beteje

Tyrbja  e Sulltan Muratit, rrjedhojë e një beteje

Average Reviews

Description

Tyrbja e Sulltan Muratit, është një nga trashëgimitë e pushtetit osman në Kosovë dhe njëherësh tyrbja më e njohur dhe më e hershme osmane në Kosovë. “Tyrbja” është një objekt sinonim i mazoleumit, tumës apo edhe varrit, e cila është përdorur nga bota islame, të cilat janë ndërtuar për personalitetet e larta pushtetare, sidomos për sulltanët. Ato janë kryesisht të vogla dhe janë zakonisht në formë gjashtëkëndore apo tetëkëndore me një dhomë të vetme. Aty futen trupat e pajetë apo organet e brendshme të të ndjerit në sarkofagë dhe mbulohet me perde pëlhure. Në Kosovë, më saktësisht në fshatin Mazgit (Kastriot) gjendet një tyrbe e tillë, mbi 600 vjeçare, në të cilën gjenden organet e Muratit I, sulltan i Perandorisë Osmane. E gjithë kjo ndodhi si pasojë e një beteje të zhvilluar në afërsi ku sot gjendet kjo tyrbe, mes koalicionit ballkanik me në krye Llazar Hrebeljanoviqin dhe forcave osmane të udhëhequra nga sulltani i lartpërmendur. Beteja që njihet në historiografi si “Beteja e Kosovës”, përfundoi me fitoren e forcave osmane, të cilët humbën jetën e sulltanit të tyre. Historiografia jep që Muratin I e kishte vrarë një ushtarë me emrin Millosh Kobiliq në mënyrë mjaftë enigmatike. Gjithsesi Murati I do vdiste në këtë betejë dhe trupi i tij do dërgohej në Bursa, kurse organet e tij të brendshme do vendoseshin në sarkofagë dhe për nderë të tij do ndërtohej një tyrbe, që sot ne e njohim si “Tyrbja e Sulltan Muratit”. Arkitekti i kësaj tyrbe ende nuk dihet, por mendohet se ishte biri i tij, Bajazidi. Kjo tyrbe është më e vjetra e arkitekturës osmane e ndërtuar në Kosovë dhe deri në ditët e sotme do riparohej disa herë si pasojë e dëmtimeve që kishte pasur. Ajo ishte ruajtur nga persona të ndryshëm, të cilëve po ashtu për nderë të punës dhe kujdesit së tyre janë varrosur përreth tyrbes. Sa i përket arkitekturës, tyrbja ka formë katrori dhe mbulohet nga një kupolë. Në portën hyrëse gjendet një dekorim i gdhendur në mermer që ka zbukurime florale dhe kaligrafike me përmbajtje kuranore. Pjesa hyrëse e tyrbes përbëhet nga një ballkon i vogël me dritare të drurit në formë të harkut, kurse nga brenda është e zbukuruar me elemente të ndryshme të artit islamik. Pas kësaj vjen dera e dytë, e cila është e drunjtë dhe mbi të është një mbishkrim që flet për gjendjen e tyrbes dhe daton nga vitit 1909. Kjo derë të dërgon tek sarkofagu, në të cilën gjenden organet e sulltanit, ndërsa lartë tij ka mbishkrime të ndryshme të marrë nga citate të Kuranit. Në oborrin e tyrbes gjendet edhe muzeu, i cili është ndërtuar në vitin 1896, mirëpo që në fillim ishte vetëm bujtinë. Aty ka fotografi, artefakte e mbishkrime të ndryshme që dokumentojnë historinë e tyrbes. E veçanta është dhoma e pritjes me sofër me mangella dhe shilte, ndërsa në këtë muze gjendet edhe një “hamamxhik”. Në katin e dytë të muzeut janë të ekspozuar edhe bendi i mehteranëve, kurse në dhomën e fundit gjenden topuzë e shpata të përdorura. Një pjesë e oborrit është e shtruar me pllaka të gurit, ndërsa aty gjendet edhe një çezme, një dud i mbjellur që nga shekulli XVII dhe një shtëpi e kujdestarëve të tyrbes, e njohur ndryshe si “shtëpia e tyrbedarëve”. Tyrbja është e hapur 24 orë për shtatë ditë të javës. Atë sipas të dhënave e vizitojnë deri në 15,000 turistë nga vende të ndryshme brenda një viti.    

Photos

Categories

Statistic

37 Views
0 Rating
0 Favorite
Share

Claim Listing

Is this your business?

Claim listing is the best way to manage and protect your business.