Në fshatin Boletin të komunës së Zvecanit gjenden kullat e ndërtuara nga familja e Boletinëve. E ndërtuar në një kodër dhe i rrethuar nga mure mbrojtëse, kompleksi ka dy kulla dhe dy hyrje në fillim të oborrit.
Nga dy kullat që përmendëm, e para quhet “Kulla e Burrave”, që u banua nga viti 1887 deri më 1899, kur u shkatërrua. Në këtë kullë ishin bërë luftime të ndryshme, ndërsa arsyen e shkatërrimit të saj, Gazmend Boletini (trashëgimtar i familjes) thotë se e bëri pushteti osman përshkak se kulla e lartpërmendur kishte shërbyer si shkollë për të mësuar shqip.
Kulla e dytë është “Kulla e Grave”, që tani njihet si “Kulla e Zjarrit”. Kjo kullë është ndërtuar para vitit 1912 dhe kishte qenë e banueshme deri në vitin 1946, kur regjimi komunist jugosllav kishte larguar familjen Boletini nga aty. Në katin e parë të objektit kishin qenë tri dhoma me tre oxhak (dhomat nuk janë sot), kurse në qoshe të kullës janë shtatë frëngji, nga ku kanë gjuajtur me armë në raste lufte. Gjithsesi me largimin e familjes, prej vitit 1946 deri në vitet 70’, objekti i lartpërmendur kishte shërbyer si shkollë fillore. Në luftën e fundit, forcat serbe kishin shkatërruar këtë kullë, por që ishte restauruar nga Ministria e Kulturës në vitin 2005.
Sot, kulla shërben si shtëpi muze dhe brenda ka përplot fotografi e dokumente të ndryshme që dëshmojnë për veprimtarinë e Isë Boletinit, prejardhjen e familjes Boletini, e kështu me radhë. Ndërsa me rëndësi të përmendim është që brenda oborrit janë edhe varri i Isës dhe djemve të tij
Kulla vizitohet nga shumë vizitorë, sidomos për festën e 28 nëntorit.