Kalaja e Vushtrrisë, pasuri kulturore e këtij qyteti dhe jo vetëm
Njëra prej objekteve historike të qytetit të Vushtrrisë, pa dyshim se është Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë që gjendet në zemrën e këtij qyteti. Rreth vjetërsisë së këtij objekti ka ende paqartësi dhe për këtë mendimet ndahen në tri lloje:
Se i takon periudhës së Antikitetit, përpara ardhjes së romakëve;
Se i takon periudhës së Antikitetit, gjatë sundimit romak;
Se i takon periudhës së Mesjetës, kur Vushtrria sundohej nga dinastia serbe e Nemanjidëve, cilën e mbron më së shumti historiografia serbe.
Nga studimet e bëra prej studiuesëve të ndryshëm, përfundimet më shumë anojnë se kalaja është ndërtuar në periudhën romake.
Gjithsesi kalaja ka sipërfaqe prej 1000m2 (së bashku me oborrin që gjendet në pjesën lindore) me një mur prej 2m të trash dhe lartësi prej 8m, kurse kulla apo “pyrgu” që gjendet aty ka sipërfaqe afër 100m2 dhe 11m lartësi. Një karakteristikë e saj është pjesa jugperëndimore, në të cilën gjenden dy gurë në formë pesëkëndëshe, nën të cilët mendohet të ketë qenë një kanal nëntokësor nga i cili furnizohej me ujë hamami i qytetit.
Në anën perëndimore, 3m larg murit të kalasë është rezervari përmes cilit furnizohej kalaja, ndërsa në anën perëndimore, 16m larg pyrgut (kullës) është gjetur një zgafelle, në të cilën besohet se kishte qenë kanali përmes të cilit njerëzit kanë dalë prej kalasë tek Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri.
Sa i përket asaj se për çfarë është shfrytëzuar kalaja, ajo ka luajtur rol për arsye të ndryshme. Kalaja është përdorur si vendstrehim për pushimin e karvanëve tregtare, pastaj ka shërbyer si burg, depo armësh,etj., kurse në ditët e sotme kalaja shfrytëzohet për aktivitete kulturore e artistike, punëtori, seminare të ndryshme,etj..