Është një muze kombëtar që ndodhet në qytetin e Vlorës, Shqipëri dhe është një nga vendet më të rëndësishme historike dhe kulturore të vendit. Edhe pse e gjejmë në burime të ndryshme se kjo godinë ishte vendi ku ishte shpallur pavarësia, në fakt nuk është ashtu. Kjo godinë u përdorë vetëm si seli e Qeverisë së Vlorës, ndërsa pavarësia ishte shpallur në selamllëkun e familjes Vlora.
Si muze është hapur më së pari në vitin 1936 në kohën e Mbretërisë Shqiptare dhe ka shërbyer si i tillë deri në vitin 1939, atëherë kur Shqipëria do pushtohej nga Italia Fashiste. 17 vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, objekti është shndërruar në Muze Kombëtar dhe shërben ende si i tillë edhe sot.
Muzeu gjendet në afërsi të portit të Vlorës, ka dy kate dhe dhoma nëpër të cilat ka dokumente, fotografi, objekte dhe fakte të ndryshme të periudhës së shekujve XIX-XX të historisë kombëtare shqiptare. Pjesa më interesante është zyra e Ismail bej Vlorës dhe salla e mbledhjeve të qeverisë së parë. Në pjesën e jashtme (ballkon) valëvit flamuri kombëtar ndërsa afër muzeut qëndrojnë edhe disa buste të figurave kombëtare shqiptare.